Pas largimit nga Liverpool-i në verën e vitit 2024, Jurgen Klopp u përball me oferta nga dy prej klubeve më të mëdha të Anglisë, Manchester United dhe Chelsea, për të marrë drejtimin teknik, por trajneri gjerman i refuzoi ato. Kjo u bë e ditur nga agjenti i tij, Marc Kosicke, i cili shtoi se Klopp kishte deklaruar qartë që nuk do të drejtonte asnjë tjetër klub anglez. Klopp, i cili kaloi rreth nëntë vite në Anfield duke fituar Ligën e Kampionëve dhe Premier League, vendosi të bëjë pushim. Megjithatë, interesi për shërbimet e tij nuk ka munguar. Përveç United dhe Chelsea-t, trajneri mund të kishte marrë drejtimin e përfaqësueses së Anglisë, pas largimit të Gareth Southgate pas Euro 2024. Sot 58-vjeçari mban postin e drejtorit global të futbollit në grupin Red Bull, ku Kosicke tregon se Klopp është shumë i kënaqur me rolin e tij aktual dhe refuzon të kthehet menjëherë në stol. “Ndoshta një ditë do të ndiejë nevojën për të rikthyer aromën e dhomës së zhveshjes, por për momentin është shumë i lumtur,” tha Kosicke.
Agjenti gjithashtu përmendi mundësitë e tjera që i janë ofruar para se Klopp të pranonte pozicionin te Red Bulli: mund të kishte trajnuar në SHBA, Angli, ose madje edhe në Gjermani, nëse Julian Nagelsmann nuk do të ishte aty. Ai nënvizoi edhe sukseset e trajnerit: pas Mainz-it dhe Borussia Dortmundit, Klopp arriti të ngjitej në histori si një nga trajnerët e paktë që ka drejtuar vetëm tre klube dhe nuk është pushuar kurrë.
sfidanti.al

