‘Ylli’ i Athletic Bilbao-s, Nico Williams, do të mungojë për një periudhë të pacaktuar pasi ka nisur një trajtim të ri për pubalginë që e ka shqetësuar që nga sezoni i kaluar. Futbollisti po trajtohet nga një specialist jashtë klubit, dhe nuk ka ende një datë të caktuar rikthimi. Problemi i vazhdueshëm i pubalgjisë ka detyruar Williams-in të qëndrojë jashtë fushës. Ai nuk udhëtoi për ndeshjen në Oviedo dhe po i nënshtrohet një trajtimi të ri për të shëruar plotësisht dëmtimin, i cili ka qenë i pranishëm gjatë gjithë sezonit, pavarësisht përpjekjeve për rikuperim gjatë verës. Situatën e konfirmoi edhe vëllai i tij, Iñaki Williams, gjithashtu lojtar i Athletic Bilbao-s, pas ndeshjes së fundit: “Ai po shikonte dritën në fund të tunelit, por tani duket se ka bërë dy ose tre hapa mbrapa.” Trajneri Ernesto Valverde ishte më i prerë: “Kështu nuk mund të vazhdojmë.”
Këtë sezon, Williams ka luajtur në 26 ndeshje, 18 prej të cilave si titullar, duke grumbulluar 1,728 minuta lojë, ndërkohë që më i përdoruri i skuadrës, Jauregizar, ka afërsisht 1,200 minuta më shumë. Pubalgjia e ka lënë jashtë edhe nga grumbullimet e fundit të përfaqësueses spanjolle. Klubi nuk ka dhënë një prononcim zyrtar për kohëzgjatjen e ndalesës, por pritet të jetë të paktën katër javë. Ende mbetet e paqartë nëse Williams do të ndërpresë trajtimin për gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit kundër Real Sociedad-it.
sfidanti.al

