Mbrojtësi i Barcelonës, Pau Cubarsí, ka treguar rrugëtimin e tij në elitën e futbollit në një intervistë për L’Equipe. Cubarsí debutoi me ekipin e parë të Barcelonës në janar 2024, vetëm katër ditë para 17-vjetorit të tij, në një ndeshje të Kupës së Mbretit kundër Unionistas de Salamanca, dhe më pas debutoi edhe në La Liga. “Ditën pas debutimit tim si titullar kundër Betisit, Xavi më përgëzoi dhe më uroi ditëlindjen përpara të gjithëve. Robert Lewandowski u afrua dhe më pyeti: ‘A është e vërtetë që je 17 vjeç?’ Nuk mund t’u besoja syve. Ndoshta ende kisha fytyrë fëmije,” rrëfen Cubarsí. Ai kujton edhe origjinën e tij dhe vendin ku ndihet më i qetë: “Në shtëpinë e prindërve kam dele, dy qen, pula dhe rosa. Delet kullosin në bar dhe ne hamë vezët e freskëta të pulave tona. Kur kthehem aty, çlirohem komplet nga stresi.”
Cubarsí ka ndjekur rrugën e zhvillimit profesional së bashku me Lamine Yamal-in, një tjetër talent i Barcelonës. “Lamine merr topin dhe vendos ndeshjen. Që në fëmijëri e ka pasur këtë dhunti. Njëherë në stërvitje më dribloi dhe unë rrëshqita dhe gjithë javën më talli. Por më e bukura është se goditi drejt meje, dhe për një mbrojtës, është mirë nëse nuk shkon në gol,” tregon Cubarsí. Një episod i paharrueshëm i tij ka ndodhur në ndeshjen kundër Estrella Rojas në 2024, ku pësoi një çarje në fytyrë. “Për të luajtur kundër Real Sociedad-it disa ditë më pas, duhej të mbaja një mbrojtëse që më bënte të dukesha si një punonjës i McDonald’s. Shokët më thërrisnin ‘kamerieri i McDonald’s’,” përfundon Cubarsí me humor.
sfidanti.al

