Futbollistja franceze hyn në ‘reality show’ për të gjetur dashurinë

Futbollistja e Nice-s, Estelle Laurier, do të marrë pjesë në sezonin e dhjetë të emisionit televiziv ‘Mariés au premier regard’, ku synon të gjejë dashurinë dhe të balancojë karrierën sportive me jetën personale. Lajmi u bë i ditur nga vetë mbrojtësja 28-vjeçare përmes një postimi në rrjetet sociale. Ajo e cilësoi këtë vendim si një hap të veçantë dhe unik në jetën e saj, duke theksuar se pas vitesh të përkushtuara ndaj futbollit ndjeu se kishte ardhur momenti për të kërkuar ekuilibrin mes profesionit dhe ëndrrës për t’u martuar. Laurier është një element i rëndësishëm i skuadrës së Nice-s, që aktualisht renditet në mesin e tabelës së kategorisë së dytë franceze dhe lufton për mbijetesë. E lindur në Bron, ajo ka kaluar nëpër përfaqësueset e moshave të Francës dhe ka kaluar dhjetë vite në akademinë e Olympique Lyonnais, pasi e nisi rrugëtimin te FC Chaponnay-Marennes.

Në këtë aventurë televizive, futbollistja do të mbështetet nga familja e saj dhe nga ish-tenisti i njohur francez, Yannick Noah, i cili do të jetë këshilltari i saj në kërkimin e dashurisë. “Zgjodha t’i besoj së panjohurës, të besoj në shkencë, por mbi të gjitha të besoj në dashuri”, u shpreh Laurier, duke premtuar një eksperiencë të mbushur me shpresë dhe emocione të forta.

sfidanti.al