Bota e boksit mund të përjetojë një tjetër spektakël historik. Mike Tyson po planifikon seriozisht rikthimin në ring, këtë herë për një duel që ka ndezur imagjinatën e tifozëve: një përballje me Floyd Mayweather Jr.. Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, vetë Tyson ka konfirmuar se bisedimet janë reale dhe në zhvillim, duke lënë të kuptohet se ideja për këtë sfidë ka ardhur fillimisht nga Mayweather.
Tyson, 59 vjeç, konsiderohet një nga emrat më të mëdhenj në historinë e peshave të rënda, i famshëm për stilin agresiv dhe fuqinë shkatërruese në vitet ’80 dhe ’90.Ai u tërhoq zyrtarisht në vitin 2005, por riktheu vëmendjen globale me përballjen ndaj Jake Paul në vitin 2024, një event që gjeneroi miliona shikime. Nga ana tjetër, Mayweather, i pamposhtur në karrierën e tij profesionale dhe i pensionuar që nga viti 2017, ka qenë aktiv në disa duele ekzibicionale që kanë tërhequr interes të madh mediatik dhe financiar.
Një përballje mes Tyson dhe Mayweather do të ishte pa dyshim një nga ngjarjet më të ndjekura të vitit, duke bashkuar dy epoka dhe dy stile krejtësisht të ndryshme në një spektakël që premton nostalgji, emocione dhe fitime rekord.

