Elbasani ka reaguar me një komunikatë zyrtare pas ndeshjes me Partizanin, e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, fituar nga të kuqtë me rezultatin 1-0. Gjithçka ka të bëjë me 11-metërshin e dhënë në favor të kryeqytetasve, që është kontestuar nga verdheblutë.
KOMUNIKATË ZYRTARE
Që nga muaji janar i këtij viti, ndaj ekipit të Elbasanit janë akorduar katër penallti kundër, të cilat në të katër rastet kanë qenë tepër të diskutueshme.
Rasti i paraqitur në këtë foto është momenti i fundit flagrant, i ndodhur në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit, një tjetër penallti e diskutueshme, që ka ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën dhe mbarëvajtjen e takimit.
Si klub, ndihemi të cenuar nga vendime të përsëritura, shumë të diskutueshme dhe jo korrekte të arbitrave, të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e ndeshjeve tona.
Ne kërkojmë nga Kolegjiumi i Arbitrave dhe nga vetë arbitrat që të jenë në lartësinë e detyrës, të veprojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe integritet të plotë, duke shmangur çdo vendim që mund të perceptohet si i favorshëm apo i njëanshëm.
Respekti për garën dhe drejtësinë sportive duhet të jetë mbi gjithçka.

