Toni Kroos nuk ka qenë kurrë tip që kërkon zhurmë me deklarata të bujshme, por këtë herë ish-mesfushori i Real Madridit ka zgjedhur fjalë të drejtpërdrejta dhe pa shumë filtra. Pas tërheqjes nga futbolli në verën e vitit 2024, gjermani është rikthyer në vëmendjen e medieve me një qëndrim kritik ndaj Ligës Profesionale Saudite. Në një intervistë për Bryan Nassr, Kroos ndali vëmendjen te ndikimi i Cristiano Ronaldos në futbollin saudit. Dy ish-shokët e skuadrës te “Los Blancos” ndanë për gati një dekadë dhomën e zhveshjes dhe suksese të mëdha, ndaj fjalët e gjermanit peshojnë edhe më shumë.
Sipas Kroos, rritja e famës së kampionatit saudit lidhet pothuajse tërësisht me praninë e ‘yllit’ portugez, pesë herë fitues i Topit të Artë. “Liga saudite është një realitet krejt tjetër. Para ardhjes së Cristiano Ronaldos, shumë pak njerëz e dinin se ekzistonte. Sot, në mënyrë paradoksale, nuk po respektohet pikërisht ai që i dha asaj vëmendje ndërkombëtare”, u shpreh Kroos. Ish-mesfushori gjerman shkoi edhe më tej me një deklaratë të fortë, duke theksuar se ndikimi i Ronaldos është vendimtar për interesin global: “Po e them hapur: nëse Ronaldo do të largohej, askush nuk do ta ndiqte më këtë ligë”. Një qëndrim i qartë dhe i fortë nga Kroos, që rikthen në qendër të debatit rolin real të ‘yjeve’ botërorë në rritjen dhe mbijetesën e kampionateve të reja.
Sfidanti.al

