Inter, Calhanoglu dhe Barella pranë rikthimit

Interi merr sinjale shumë pozitive në prag të sfidës së madhe ndaj Juventusit. Dy shtyllat e mesfushës, Nicolò Barella dhe Hakan Calhanoglu, janë gjithnjë e më pranë rikthimit në dispozicion të skuadrës dhe mund të jenë gati menjëherë pas ndeshjes me Sassuolon. Ishte vetë Cristian Chivu që, pas kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, kishte dhënë garanci për rikthimin e tyre: “Do të kthehen menjëherë pas Sassuolos, nga sa di unë”. Fjalë që tani po marrin gjithnjë e më shumë formë konkrete. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Barella dhe Calhanoglu janë stërvitur në ditët e fundit me programe të personalizuara, mes terapive, palestrës dhe punës në fushë, pas fitores bindëse të zikaltërve ndaj Sassuolos. Situata është pak më ndryshe për Denzel Dumfries, për të cilin do të duhet ende pak durim para rikthimit të plotë. Ndërkohë, Chivu mezi pret të ketë sërish në dispozicion dy elementë kyç në mesin e fushës, sidomos me “Derby-n e Italisë” ndaj Juventusit, që afrohet këtë të shtunë.

Trajneri rumun po bashkëpunon ngushtë me stafin mjekësor dhe nuk ka ndërmend të nxitojë, duke respektuar plotësisht kohët e rikuperimit për të shmangur rreziqe të panevojshme. Barella ka munguar në katër ndeshje, ndërsa Calhanoglu edhe më shumë, duke humbur përballje të rëndësishme në kampionat dhe në Evropë. Në mungesë të tyre, Interi ka gjetur zgjidhje të shkëlqyera: Zielinski ka ofruar paraqitje shumë bindëse, Diouf dhe Mkhitaryan kanë dhënë freski, ndërsa Frattesi është riaktivizuar me sukses. Tashmë, për sfidën e 14 shkurtit, Chivu pritet të ketë “dhimbje koke” pozitive në mesfushë, luks i vërtetë për një ndeshje kaq vendimtare.

sfidanti.al