Super Bowl LX u mbyll me një verdikt të qartë dhe pa diskutime: Seattle Seahawks janë kampionët e NFL-së për vitin 2026, pasi dominuan finalen ndaj New England Patriots me rezultatin 29-13 në ‘Levi’s Stadium’ të Santa Clarës. Që në çerekët e parë u kuptua se ndeshja do të kishte vetëm një drejtim. Seahawks treguan epërsi të plotë fizike dhe taktike, duke kontrolluar ritmin dhe duke mos i lënë hapësirë reagimit të Patriots. Mbrojtja e Seattle-it ishte momenti kyç i finales, duke bllokuar vazhdimisht ofensivën e New England-it dhe duke e detyruar të bënte gabime vendimtare. Çdo tentativë për rikthim u shua shpejt, ndërsa sulmi i Seahawks administroi me qetësi kohën dhe rezultatin.
Me kalimin e minutave, diferenca u thellua dhe finalja u shndërrua në një demonstrim force, deri te shifrat përfundimtare 29-13. Për Seattle Seahawks, ky triumf përfaqëson kulmin e një projekti të ndërtuar me qëndrueshmëri, duke u rikthyer në majën e futbollit amerikan në edicionin e 60-të të Super Bowl-it. Përtej fushës, vëmendje të madhe mori edhe shfaqja e pushimit, ku Bad Bunny solli një mesazh uniteti dhe përfshirjeje, duke e kthyer stadiumin në një skenë të kulturës latine. Spektakli ndezi debat të fortë politik e shoqëror në SHBA, duke treguar edhe një herë se Super Bowl nuk është vetëm sport, por pasqyrë e një shoqërie të ndarë mes traditës dhe ndryshimit. Në fund, festa i përkiste plotësisht Seahawks: kampionë në fushë dhe protagonistë absolutë të Super Bowl 2026.
sfidanti.al

