Spektakli në pushim të Super Bowl LX vazhdon të ndezë debate të forta në Shtetet e Bashkuara, jo për aspektin sportiv, por për mesazhin kulturor dhe politik që përcolli Bad Bunny. Protagonisti i mbrëmjes, artisti portorikan, u përball me kritika të ashpra nga presidenti Donald Trump, i cili reagoi ashpër në rrjetet sociale pas përfundimit të shfaqjes. Presidenti amerikan e cilësoi performancën si “një nga më të këqijat në historinë e Super Bowl-it”, duke shtuar se ishte “e tmerrshme dhe një fyerje ndaj madhështisë së SHBA-së”. Sipas Trump, shfaqja nuk përfaqësonte standardet amerikane të suksesit, kreativitetit dhe ekselencës. “Askush nuk kupton asnjë fjalë nga ajo që thotë ky tipi, ndërsa kërcimi është i neveritshëm, sidomos për fëmijët e vegjël që e ndjekin nga e gjithë Amerika dhe bota”, shkroi ai.
Trump shkoi edhe më tej, duke e quajtur spektaklin “një shuplakë në fytyrë për vendin”, ndërsa sulmoi edhe mediet që e vlerësuan pozitivisht performancën e Bad Bunny, duke i cilësuar si “media të rreme” që, sipas tij, nuk kanë asnjë ide për frymëzimin e vërtetë. Nga ana tjetër, Bad Bunny shfrytëzoi skenën e Super Bowl-it për të dhënë një mesazh të fortë uniteti dhe identiteti. Ai e shndërroi stadiumin në një manifest kulturor latino, me këngë në spanjisht, të ftuar si Lady Gaga dhe Ricky Martin, si dhe me mesazhe simbolike si “Juntos somos América”. “E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria”, u shpreh këngëtari, duke theksuar se sot “të gjithë duan të jenë latino”. Një shfaqje që për disa ishte historike dhe frymëzuese, për të tjerë një provokim i papranueshëm. Super Bowl, edhe këtë herë, u kthye në pasqyrë të një Amerike të thellësisht të ndarë.
sfidanti.al

