Bernardo Silva: Humbja me Liverpoolin do ta mbyllte garën për titull

Mesfushori i Manchester Cityt, Bernardo Silva, ka pranuar se skuadra e tij ishte e vetëdijshme se gara për titullin e Premier League do të ishte praktikisht e përfunduar në rast humbjeje ndaj Liverpoolit, përpara fitores dramatike në “Anfield”.

Portugezi theksoi se ekipi i Pep Guardiolës ishte vetëm disa minuta larg shuarjes së shpresave për titull, përpara se rikthimi spektakolar t’u jepte “Qytetarëve” një frymë të re në ndjekjen e Arsenalit.

Me këtë triumf, City ngushtoi diferencën me londinezët në gjashtë pikë dhe arriti të sigurojë “dopietën” sezonale ndaj Liverpoolit në kampionat për herë të parë pas gati 90 vitesh.
Silva ishte një nga protagonistët kryesorë të ndeshjes, duke barazuar rezultatin gjashtë minuta para fundit dhe duke shlyer golin spektakolar nga goditja e dënimit i Dominik Szoboszlait. Hungarezi më pas u përjashtua në kohën shtesë pas një incidenti të pazakontë me Erling Haaland, ndërsa edhe një gol nga distanca i Rayan Cherki u anulua.

“Për diferencën që kemi për të rikuperuar ndaj Arsenalit, ishte e rëndësishme të kërkonim edhe një gol tjetër pasi barazova,” u shpreh Silva.

“Isha i lumtur që u rikthyem në lojë, por e dinim se na duhej fitorja. Ky është vendi më i vështirë për të luajtur në Premier League dhe zakonisht edhe një pikë këtu është rezultat i mirë, por për ne nuk mjaftonte”.

Mesfushori portugez shtoi gjithashtu rëndësinë personale të suksesit në “Anfield”: “Është fitorja ime e parë këtu në nëntë vite, përjashto sezonin e Covidit. E dinim para ndeshjes se ndoshta gara për titull mbyllej nëse humbnim, ndaj e ndjemë se fitorja ishte e domosdoshme”.

Në fund, Silva theksoi se City nuk ka ndërmend të dorëzohet: “Ende ka shpresë dhe do të luftojmë deri në fund. Duhet të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, diçka që nuk e kemi bërë gjithmonë mirë kohët e fundit. Po ta kishim bërë, do të ishim më afër Arsenalit tani.”

Aktualisht, Arsenali kryeson renditjen, me një avantazh prej gjashtë pikësh ndaj Manchester Cityt, ndërsa gara për titull mbetet ende e hapur.