Java e 21-të e Kategorisë së Parë uli siparin sot me dy takimet e fundit.
Ndeshja mes Burrelit dhe Ilirisë së Fushë Krujës mbaroi në barazim 1-1. Të parët në avantazh kaluan vendasit falë një goli të Xhabrahimit në të 34’. Numri 9 finalizoi me shpejtësi një goditje dënimi të nisur shpejt nga shokët e tij të skuadrës, të cilët gjetën të papërgatitur rivalët e tyre. Miqtë nga Fushë Kruja arritën që të barazonin takimin në të 60’ falë Fofana, i cili dërgoi në portë topin pas një gabimi trashanik të portierit vendas. Pas 21 takimesh Burreli renditet në vendin e pestë me 30 pikë ndërsa Iliria qëndron një vend më poshtë me katër pikë më pak.
Nga ky barazim nuk arriti që të përfitonte Besa e Kavajës, e cila ndau një pikë me Luftëtarin në një takim të mbyllur 1-1. Besa në 21 takime ka grumbulluar 25 pikë dhe ndodhet në vendin e shtatë ndërsa AF Luftëtari mban vendin e parafundit me 16 pikë.

