Lamine Yamal po konfirmon gjithnjë e më shumë statusin e tij si një nga talentet më të mëdhenj të brezit të ri te Barcelona. Pas problemeve me pubalgjinë, viti 2026 ka qenë jashtëzakonisht pozitiv për 18-vjeçarin, i cili nga mesi i janarit ka regjistruar 5 gola dhe 2 asiste në 7 paraqitje, duke u kthyer në një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick. Përveç kontributit ofensiv, trajneri gjerman ka vlerësuar edhe angazhimin e tij në fazën mbrojtëse dhe presionin konstant ndaj kundërshtarit.
Rritja e Yamal-it është reflektuar edhe në shifrat historike. Me golin e realizuar në fitoren 2-1 ndaj Albacete-s në Kupën e Mbretit, ai arriti në kuotën e 39 golave me fanellën e Barcelonës, duke kaluar kështu Diego Armando Maradonën në listën e realizatorëve të klubit katalanas. Një arritje simbolike, që e vendos emrin e tij pranë një prej legjendave më të mëdha të futbollit botëror.
Maradona ishte pjesë e Barcelonës nga viti 1982 deri në 1984 dhe në atë periudhë shënoi 38 gola në 58 ndeshje, me një mesatare shumë të lartë realizimi. Yamal-it iu deshën 135 ndeshje për të kaluar këtë shifër, por konteksti dhe roli i tij në fushë janë të ndryshme. Ndryshe nga “El Diez”, i cili ishte një lider absolut ofensiv, Yamal është kryesisht lojtar krahu, i shpejtë, kreativ dhe i përfshirë vazhdimisht në ndërtimin e aksioneve. Edhe pse krahasimet janë të pashmangshme, historia e të dyve është unike. Maradona, i cili u nda nga jeta në vitin 2020, nuk arriti kulmin e karrierës së tij te Barcelona, ndërsa Yamal duket se sapo ka nisur rrugëtimin e tij. Lamine Yamal po shkruan faqe të reja historie te Barcelona, duke treguar se e ardhmja i përket atij.
Sfidanti.al

