Rei Manaj ka munguar për ndeshjen e dytë radhazi te Sharjah FC, duke shtuar zërat për një largim të afërt. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk ishte as në stol në transfertën ndaj Al Dhafrës, një takim i vlefshëm për javën e 14-të të kampionatit në Emiratet e Bashkuara Arabe, që u mbyll me fitoren 0-2 për Sharjah FC. Mungesa e Manajt nuk duket rastësore. 28-vjeçari raportohet se e ka ndarë mendjen për t’u larguar përfundimisht nga klubi arab, me dëshirën kryesore që mbetet rikthimi te Sivaspori në Turqi.
Edhe pse ditët e fundit është përfolur edhe për një transferim të mundshëm drejt Kinës, pista turke vijon të jetë prioriteti absolut për sulmuesin. Sipas raportimeve, Manaj është i gatshëm të bëjë një sakrificë të madhe financiare, duke hequr dorë nga rreth 4 milionë euro, vetëm për t’u rikthyer te klubi ku ka lënë gjurmë. Madje, ai pret që rikthimi të shoqërohet me një pritje entuziaste nga tifozët, me rreth 2 mijë mbështetës në aeroport, si dhe me ndërtimin e një ekipi konkurrues që të synojë majat e Superligës turke.
Megjithatë, situata mbetet e ndërlikuar, pasi Sivaspori aktualisht është i bllokuar nga FIFA. Lajmi pozitiv për klubin turk është se zhbllokimi pritet të ndodhë që nga dita e nesërme, çka mund t’i hapë rrugë negociatave dhe finalizimit të marrëveshjes. Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Rei Manajt, i cili duket gjithnjë e më larg Sharjah FC dhe gjithnjë e më pranë një rikthimi të bujshëm në Turqi.
sfidanti.al

