“Vdekja” e Luftëtarit një normalitet për futbollin tonë

Që Luftëtari i “vjetër” ka “vdekur” prej disa vitesh, ky nuk është më një lajm. Shpallja në kornizën e lajmërimeve të “vdekjeve” bëri më shumë zhurmë se sa e meriton një ngjarje e tillë dhe jo sepse kemi të bëjmë me një emër pa peshë pasi në lojë është emri i skuadrës që i ka dhuruar futbollit shqiptar “xhevahirë” të lojës si Braho, Seiti e Kalluci me shokë, por sepse ky është një vendim i marrë kohë më parë me krijimin e Akademisë së Futbollit Luftëtari, një realitet sot.

Ajo që bën përshtypje në gjithë këtë situatë është amullia e e njerëzve që e rrethojnë futbollin, aq sa shumë prej tyre nuk ishin në dijeni të procedurës krejt normale, çka vërteton faktin se sot tifozët janë të lidhur vetëm me historinë dhe jo aktualitetin. Në një kohë që vetëm tregimet me lojtarë madhështorë po e mbajnë gjallë këtë sport në Shqipëri, dalëngadalë po varrosim edhe ato kujtime për të vrarë përfundimisht sportin dhe historinë e lidhur me të. Ka ndodhur e njëjta gjë me Dinamon që gjithsesi e gjeti një “kleçkë” për të mos u rithemeluar dhe sot kemi në tavolinë një Dinamo krejt tjetër në imazh por jo në letra, gjë që nuk arriti ta bënte Skënderbeu për të evituar pikërisht “vdekjen” e Luftëtarit të vjetër. Në Korçë u treguan më kokëfortë se në Gjirokastër pikërisht për të ruajtur atë histori që mbart emri i “heroit me top”. Gjithsesi thelbi mbetet i njëjtë, vlerat dhe historinë e “Luftëtarëve” të së shkuarës sot po i varrosim çdo vit e më shumë për të “vrarë” dalëngadalë jo thjesht markat por gjithë futbollin tonë.

sfidanti.al