Turpërimi në Norvegji, Haaland me shokë rimbursojnë tifozët

Pas humbjes së rëndë në derbin me United, City i Guardiola u turpërua edhe nga Bodo Glimt. Disfata e fundit ka shtyrë lojtarët e Manchester City që të rimbursojnë 374 tifozët që ishin në Norvegji për të ndjekur nga afër sfidën europiane. Sipas “The Times”, ideja e rimbursimit lindi nga disa senatorë të skuadrës, kapiteni Bernardo Silva, Ruben Dias, Rodri dhe Erling Haaland.

Kostoja totale e iniciativës kap shifrën e 9357 stërlinave (rreth 10.700 euro). Kjo shumë do të mbulohet nga lojtarët për të paguar udhëtimin dhe hotelin. Duke folur në emër të skuadrës, kapiteni i Manchester City e ka shpjeguar kështu motivin e gjestit: “Tifozët janë gjithçka për ne. E dimë sa sakrifica bëjnë për të udhëtuar në gjithë botën për të na mbështetur në transfertë. Janë më të mirët në botë. E dimë që kanë përballuar një udhëtim të gjatë për të na përkrahur, pavarësisht të ftohtit të akullt në atë mbrëmje shumë të vështirë për ne. Të mbulojmë kostot e biletave për tifozët që erdhën në Bodo është minimumi që mund të bëjmë”.

sfidanti.al