Barcelona lejoi Ter Stegen të kalojë te Girona

Pritet vetëm zyrtarizimi, por Marc Andre Ter Stegen do të mbyllë sezonin 2025/26 te skuadra e Gironës ku ai do të kalojë në formë huazimi. Sipas të përditshmes ‘The Athletic’, për të lejuar kalimin e portierit gjerman te klubi tjetër katalanas, Barcelona vendoi një kusht, që Ter Stegen të mos jetë në formacion në 15 shkurt kur Girona do të përballet me skuadrën blaugrana një kusht që në Spanjë njihet ndryshe edhe si ‘klauzola e frikës’.

Girona, që është nën kontrollin e City Group, mund ta anulojë këtë klauzolë duke paguar një kompensim të konsiderueshëm, por nuk pritet që ky klub ta ndërmarrë një lëvizje të tillë. Barcelona do të marrë përsipër të paguajë 90% të pagës së 33 vjeçarit i cili me kalimin te Girona do të ketë mundësi të fitojë minuta të rëndësishme aktivizimi në mënyrë që të jetë pjesë e përfaqësueses gjermane në Botërorin e këtij viti. Te Barcelona ai nuk do të ishte më titullar, teksa tani klubi blaugrana ka si portier kryesor Joan Garcia. Përvec ndeshjes me Guadalajara në Kupën e Mbretit, Ter Stegen nuk është kthyer të mbrojë më portën e skuadrës katalanse dhe si në finalen e Superkupës ashtu edhe në sfidën me Racing Santander në Kupë mes shtyllave ishte pikërisht Joan Garcia.

sfidanti.al