Një nga përballjet direkte të javës së 21-të të Abissnet Superiore është ajo mes Tiranës dhe Flamurtarit. Dy ndeshjet e para të kampionatit mes bardhebluve dhe vlonjatëve kanë përfunduar me të njëjtin rezultat, 1-1. Këtë herë në fakt situata ndryshon. Të dyja skuadrat kanë marrë rezultate pozitive së fundi, sidomos Tirana, që në fakt ka më shumë presion, sepse 3 pikët i ka jetike.
Nëse mundin Flamurtarin të shtunën, kryeqytetasit i afrohen këtij rivali direkt në 1 pikë. Vlonjatët mund të kënaqen edhe me një pikë, duke qenë se me barazim e mbajnë prapa Tiranën. Aktualisht skuadra e Morieros ka dalë nga zona e ftohtë dhe vjen me moral më të lartë në këtë sfidë. Por Tirana është krejtësisht ndryshe nga dy përballjet e para me Flamurtarin. Grupi i lojtarëve ka ndryshuar shumë dhe me atë që ka treguar në 2 ndeshjet e para të 2026-ës, kuptohet që ka më shumë cilësi në skuadër. Veçanërisht në sulm, ku Xhixha dhe Ernest i janë bashkuar Tabeku dhe e kanë rritur ndjeshëm forcën e Tiranës. Gjithçka mund të ndodhë në një ndeshje, e sigurt është se këtë herë Tirana dhe Flamurtari vijnë me skuadra më të mira se në gjysmën e parë të kampionatit.
sfidanti.al

