Partizani kujton Panajot Panon: 16 vite pa legjendën e futbollit shqiptar

Klubi i Partizanit kujton një nga emrat më të mëdhenj jo vetëm të tij, por edhe të futbollit shqiptar në tërësi: Panajot Panon. Ish-futbollisti i madh u nda nga jeta 16 vite më parë dhe klubi kryeqytetas ka bërë një postim në faqen zyrtare në nder të figurës së Panos.

Postimi i plotë i klubit të kuq:

Sot mbushen 16 vite që Panajot Pano, një nga figurat më të njohura të futbollit shqiptar dhe Partizanit, ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare në Jacksonville, Florida, SHBA.

Pano, i cilësuar si Legjenda e Futbollit shqiptar përgjatë karrierës së tij 18-vjeçare si futbollist me performancën e shkëlqyer dhe golat e shënuar, ka dhuruar emocione të paharrueshme për publikun shqiptar. Me fanellën e Partizanit Pano në 210 ndeshje të luajtura do të realizonte plot 136 gola, duke fituar me të kuqtë 4 kampionate dhe 5 Kupa, ndërsa me përfaqësuesen e Shqipërisë Pano regjistron 24 ndeshje dhe 4 gola të shënuar.

Një karrierë e shoqëruar me shumë lavdi dhe mjaft tituj individual, përfshirë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Lojtari i Shekullit” akorduar nga UEFA/FIFA si dhe “Nderi i Kombit” dekoruar nga ish-Presidenti Republikës Bamir Topi në vitin 2009.

Figura e Panajot Panos vazhdon të kujtohet gjatë sidomos për golat e paharruar, që mbeten të gdhendur në historinë e futbollit shqiptar dhe në kujtesën e tifozëve e sportdashësve, dhe kujtohet si një legjendë e gjallë e sportit shqiptar. Kujtimi dhe emri i tij do të mbetet gjithmonë i paharruar në mendjet dhe zemrat, sidomos të tifozërisë së Partizanit, skuadër me të cilën fitoi gjithçka, duke shënuar një dominim absolut të asaj periudhe në futbollin shqiptar.

sfidanti.al