Xhoi Nuredini, debuton në Serinë A

Një moment i veçantë është regjistruar për futbollin shqiptar, teksa Xhoi Nuredini ka bërë debutimin e tij zyrtar në Serinë A. Qendërsulmuesi 18-vjeçar u aktivizua në minutën e 89-të në ndeshjen mes Genoas dhe Parmës, e vlefshme për javën e 21-të të kampionatit, e cila u mbyll pa gola, 0–0. Besimin ndaj talentit shqiptar e tregoi trajneri Daniele De Rossi, i cili vendosi t’i japë mundësinë në minutat e fundit të sfidës. Nuredini ishte grumbulluar edhe në dy takimet e mëparshme ndaj Milanit dhe Cagliari-t, por në ato raste kishte mbetur në stol, duke pritur shansin e tij.

Për sulmuesin e Kombëtares shqiptare U-19, ky debutim përfaqëson një hap të madh në karrierë dhe një moment historik personal. Ai ka tërhequr vëmendjen e stafit teknik falë paraqitjeve bindëse me Genoa U-20, ku ka spikatur me gola dhe lëvizje inteligjente në zonë. Debutimi në elitën e futbollit italian konfirmon besimin e klubit te potenciali i tij dhe hap perspektiva të reja për të ardhmen e sulmit të Shqipërisë. Nuredini tani do të kërkojë të fitojë hapësira të tjera dhe të shndërrojë këtë debutim në pikënisjen e një rruge të suksesshme.

sfidanti.al