Pas 37 vitesh, emri Cruyff rikthehet sërish tek Ajaxi. Jordi Cruyff, djali i legjendës Johan Cruyff, është emëruar zyrtarisht drejtor teknik i klubit holandez, me misionin e qartë për të ndihmuar në kapërcimin e krizës që ka prekur Ajax-in vitet e fundit. Jordi Cruyff ka firmosur kontratën këtë të diel, e vlefshme deri në qershor të vitit 2028, pra për dy sezone e gjysmë. Megjithatë, ai do të nisë zyrtarisht punën vetëm më 1 shkurt 2026, kur do të marrë detyrën nga Alex Kroes. Prezantimi i tij ka ngjallur emocione të veçanta, jo vetëm për klubin, por edhe për familjen Cruyff. “Është shumë e veçantë të jem këtu dhe të nënshkruaj kontratën time, në stadiumin që mban emrin e babait tim dhe në klubin që ka qenë i rëndësishëm për mua që në rini. Kjo do të thotë shumë për familjen time dhe për mua. Nga shkurti do të përkushtohem plotësisht ndaj Ajax-it, me një ndjenjë të madhe përgjegjësie dhe krenarie”, u shpreh Jordi Cruyff, duke falënderuar drejtuesit për besimin.
Jordi ka qenë pjesë e akademisë së Ajax-it deri në vitin 1988, përpara se të ndiqte të atin te Barcelona. Karrierën profesionale e nisi te klubi katalanas, ndërsa ka luajtur edhe për Manchester United-in, Celta Vigo-n, Espanyol-in dhe Alavés-in. Futbollin e mbylli në vitin 2010 te Valletta FC në Maltë. Rikthimi i tij shihet si një hap simbolik dhe strategjik për të rikthyer identitetin dhe ambiciet e Ajax-it.
sfidanti.al

