Muçi: E ndieja që rasti do të vinte dhe nuk gabova

Ernest Muçi u shndërrua sërish në heron e Trabzonsporit, duke i dhënë skuadrës fitoren e radhës në transfertën ndaj Kocaelisporit. Sulmuesi shqiptar realizoi golin vendimtar në minutën e parë shtesë, me një goditje të fortë dhe të saktë, që nuk i la asnjë mundësi portierit kundërshtar, duke vulosur suksesin 2–1.

Pas përfundimit të ndeshjes, Muçi u shpreh i kënaqur për paraqitjen e ekipit dhe rëndësinë e tri pikëve: “Ishte një nga ndeshjet më të vështira të sezonit. Luftuam për çdo top dhe mendoj se e merituam plotësisht fitoren. Jam shumë i lumtur, sepse këto ishin tri pikë shumë të rëndësishme”. Sulmuesi theksoi edhe filozofinë e tij të lojës: “Të shënosh është gjithmonë kënaqësi, por mbi të gjitha duhet të vraposh dhe të luftosh për skuadrën. Kur i bën këto gjëra mirë, golat vijnë vetë. Gjëja më e rëndësishme është të ndihmosh ekipin”.

Muçi zbuloi se kishte ndier se momenti i tij do të vinte: “E ndieja që një mundësi do të më shfaqej dhe, kur ndodhi, e dija se do të merrja maksimumin prej saj. Kundërshtarët luftuan deri në fund, por si lojtar ofensiv duhet të jesh gati ta shfrytëzosh rastin. Këtë bëra”.

sfidanti.al