Gazetarja sportive holandeze, Helene Hendriks, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-sulmuesit të Chelseat dhe Atletico Madridit, Diego Costa, duke pretenduar se ai i është kollitur qëllimisht në fytyrë në fillim të pandemisë COVID-19, duke e infektuar me virus.
Sipas Hendriks, incidenti ka ndodhur në mars të vitit 2020, pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes Liverpoolit dhe Atletico Madridit në stadiumin “Anfield”, një nga përballjet e fundit të mëdha europiane para izolimit global. Duke folur në podkastin HNM, Hendriks, e cila në atë periudhë raportonte për një televizion holandez, tregoi se çfarë ndodhi pas eliminimit të Liverpoolit nga Atletico Madridi. “Në fund, nga të gjithë njerëzit në atë stadium, 41 persona vdiqën nga COVID-19. Fillimisht pata Virgil van Dijk, pastaj Diego Costa. A e dini çfarë bëri Diego Costa? Ai erdhi dhe u kollit qëllimisht në fytyrën e të gjithëve. Nuk zemërohem lehtë, por doja të vrapoja pas tij dhe t’i thosha: ‘Çfarë po më bën?’. Ai po kolliste drejtpërdrejt në fytyrën time. Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte, ishte absolutisht skandaloze”, u shpreh Hendriks.
Ajo shtoi se vetëm dy ditë pas këtij incidenti rezultoi e infektuar me COVID-19, nga i cili më vonë u shërua plotësisht.
Diego Costa, 37 vjeç, ende nuk ka reaguar ndaj këtyre akuzave serioze. Sulmuesi braziliano-spanjoll luajti për herë të fundit me Gremion në fund të vitit 2024 dhe, ndonëse nuk ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli, ka qenë jashtë fushave të lojës për më shumë se një vit.

