Guardiola: Dështimi në Botërorin e Klubeve si pikë zgjimi

Manchester City po kalon një moment shumë pozitiv, me tetë fitore radhazi në të gjitha garat, duke u afruar ndjeshëm me kreun e Premier League. Trajneri Pep Guardiola ka shpjeguar arsyet e këtij rikthimi në formë, duke theksuar se gjithçka nisi pas një zhgënjimi të madh në verë, eliminimit të parakohshëm në Botërorin e Klubeve, që sipas tij shërbeu si alarm për të gjithë klubin.

Tekniku spanjoll pranoi se sezoni i kaluar ishte i zbehtë, pa asnjë trofe madhor, diçka që nuk i kishte ndodhur City-t që nga sezoni 2016/17, viti i parë i tij në stolin e “qytetarëve”. Sipas Guardiolës, problemi kryesor nuk ishte sistemi apo skemat taktike, por mungesa e energjisë.

“Energji, energji, energji. Para së gjithash unë vetë. Këtë e humbëm sezonin e kaluar. Fillimisht duhej ta rikthenim energjinë dhe ambientin pozitiv. Formacionet apo rolet janë gjëra dytësore”, u shpreh ai.

Guardiola foli edhe për një “mjegull” që kishte rrethuar qendrën stërvitore të City-t, një ndjesi e paqartë që kërkonte kohë për t’u larguar. Ai theksoi se trajnerët nuk janë magjistarë dhe se rikthimi i ndjenjës së duhur vjen gradualisht, shpesh i ndihmuar nga fitoret.

Një rol të rëndësishëm në këtë ringritje e patën edhe ndryshimet në stafin teknik, me afrimin e Pep Lijnders, Kolo Touré dhe James French. Guardiola tregoi se gjatë verës pati shumë biseda dhe reflektime të përbashkëta, derisa të gjithë ndien se “diçka kishte ndryshuar”.

Sot, City është i dyti në renditje, vetëm dy pikë pas Arsenalit, dhe po shfaq një mentalitet që i ngjan atij të sezoneve më të suksesshme. “Nuk do të thotë se gjithmonë do të fitosh, por tani e njoh ekipin tim”, përfundoi Guardiola.