Bota e automobilizmit amerikan është tronditur nga vdekja e legjendës së NASCAR-it, Greg Biffle, 55 vjeç, i cili humbi jetën të enjten në mëngjes në një aksident tragjik me aeroplan privat në North Carolina. Në përplasjen fatale, që ndodhi pak pas ngritjes nga aeroporti rajonal i Statesville, vdiqën të gjithë shtatë personat në bord, përfshirë gruan e tij, Cristina, dhe dy fëmijët e tyre, 14-vjeçarja Emma dhe 5-vjeçari Ryder.
Sipas autoriteteve, aeroplani, një Cessna C550 i vitit 1981 i regjistruar në emër të kompanisë së Biffle, u ngrit drejt Floridës por u përball me kushte të këqija atmosferike, me shi të hollë dhe re të ulëta. Tentativa për të kthyer avionin drejt aeroportit dështoi, duke u përplasur me tokën dhe duke shpërthyer në flakë. Dëshmitarët pranë Lakewood Golf Club panë avionin në një lartësi shumë të ulët dhe mbetën të tronditur nga rrëzimi dhe shpërthimi.
Greg Biffle ishte një figurë legjendare e NASCAR, me mbi 50 fitore në tr kampionate kryesore, përfshirë 19 në Cup Series dhe tituj në Truck dhe Xfinity Series. Ai njihej jo vetëm për sukseset e tij sportive, por edhe për kontributin ndaj komunitetit. Ndër të tjerët, në aksident humbën Dennis Dutton, djali i tij Jack dhe shoku i ngushtë Craig Wadsworth, të cilët u kujtuan si persona të bujarë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët.
Në një deklaratë, NASCAR e kujtoi Biffle si “një konkurrent i egër dhe një mik i dashur për shumëkënd”, duke nënvizuar integritetin dhe pasionin e tij që la një gjurmë të pashlyeshme në sport. Familjet e viktimave deklaruan se mungesa e të dashurve të tyre ka krijuar “një boshllëk të pakrahasueshëm” në jetën e tyre.
Përveç karrierës së tij të suksesshme, Biffle do të mbahet mend për zemrën e madhe dhe veprimet humanitare. Në 2024, pas uraganit Helene, ai përdori helikopterin e tij personal për të shpërndarë ndihma jetike në zonat e përmbytura dhe të izoluara të North Carolina-s perëndimore, duke treguar altruizëm përtej pistës së garave.
Hetimet mbi aksidentin janë duke u zhvilluar nga National Transportation Safety Board (NTSB) dhe Federal Aviation Administration (FAA), ndërkohë që nuk dihet ende se kush ndodhej në komandën e aeroplanit gjatë përplasjes. Tragjedia ka lënë të tronditur komunitetin e NASCAR dhe fansat e sportit motorik, duke humbur një nga figurat më të respektuara dhe të dashura të garave amerikane.
sfidanti.al

