Ardon Jashari nuk ka bindur ende në fanellën e Milanit. Mesfushori zviceran (me oerigjinë shqiptare), i cili u rikthye në formacionin titullar për herë të dytë pas humbjes 1-0 ndaj Lazios në Kupën e Italisë, u aktivizua sërish nga minuta e parë në gjysmëfinalen e Superkupës ndaj Napolit, në Riad. Trajneri Massimiliano Allegri kishte vendosur t’i jepte pushim Luka Modric-it, dhe kështu Jashari mori vendin e tij, si transferimi i dytë më i shtrenjtë i verës pas Nkunku.
Edhe pse nuk ishte ndër lojtarët më të dobët në fushë, Jashari nuk arriti të bëjë diferencën dhe doli i humbur në duelin me Stanislav Lobotka-n. Modric u aktivizua vetëm në minutën e 75-të, kur loja ishte thuajse e vendosur, duke theksuar kontrastin me eksperiencën dhe ndikimin e mesfushorit kroat. Antonio Conte, pas ndeshjes, vlerësoi Modric-in: “Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ka pasur ndikim të madh kundër Milanit. Në ndeshjen e kampionatit, ishte ai që vrapoi më shumë se të gjithë. Nder për të që në moshën 39-vjeçare ka këtë energji.”
Pavarësisht kësaj, Milan ka nevojë që Jashari të marrë më shumë minuta dhe të rikuperojë formën e tij, sidomos pas investimit të madh që u bë për të. Transferimi i tij u zhbllokua në fillim të gushtit, pas një tratative të gjatë me Club Brugge, me një ofertë prej 34 milionë eurosh plus tre milionë bonuse. Në prezantimin e tij, mesfushori i lindur në 2002 krahasoi stilin e tij me idhullin Andrea Pirlo, duke thënë se filloi si trekuartist dhe më pas u pozicionua më pas.
Megjithatë, ajo që Jashari ka treguar deri tani nuk ka ngjashmëri me karrierën e Pirlos, sidomos për shkak të një dëmtimi të rëndë që e la jashtë fushës për disa muaj. Ai u rikthye në dispozicion vetëm në nëntor, por deri tani prania e tij në fushë nuk ka lënë gjurmë të dukshme, as në Superkupë, as në ndeshjet e mëparshme. Milanit i duhet që mesfushori zviceran të gjejë formën dhe konsistencën për të justifikuar investimin e madh, dhe për të ndihmuar skuadrën në objektivin kryesor sezonal: fitimin e kampionatit. Për momentin, Ardon Jashari mbetet një “objekt misterioz”, që kërkon kohë dhe mund për t’u integruar plotësisht në rolin që trajneri Allegri i ka caktuar.
sfidanti.al

