Rikthim me peshë për Shpendin

Kristian Shpendi është kthyer protagonist në futbollin italian, duke gjetur rrugën e rrjetës në ndeshjen e Çezenës ndaj Mantovës në Serinë B. Sulmuesi shqiptar u tregua vendimtar në një duel të luftuar, ku skuadra e tij arriti një përmbysje spektakolare pas një starti të vështirë.

Mantova befasoi në pjesën e parë, duke shënuar dy herë brenda pak minutash. Rouço në minutën e 17-të dhe Artioli në të 25-ën i dhanë avantazh 0-2 miqve, duke e vënë Çezenën në ndjekje. Reagimi i vendasve erdhi në fund të fraksionit të parë dhe mban firmën e Kristian Shpendit. Në minutën e 42-të, 22-vjeçari u gjend në vendin e duhur brenda zonës dhe me një finalizim të saktë ngushtoi diferencën, duke rikthyer shpresën për bardhezinjtë.

Goli i Shpendit ndryshoi rrjedhën e ndeshjes. Në pjesën e dytë, Çezena shtoi presionin dhe arriti barazimin në minutën e 54-të, falë një autogoli të Kastelinit. Me moralin e lartë dhe iniciativën në lojë, vendasit e përmbysën plotësisht rezultatin në minutën e 78-të, kur Frabota realizoi golin e fitores, duke vulosur një sukses të çmendur 3-2.

Për Kristian Shpendin, ky ishte goli i gjashtë në 16 javë kampionat, ndërsa në llogarinë e tij janë edhe dy asistime. Një rikthim i rëndësishëm te goli pas tri ndeshjesh radhazi pa shënuar, që konfirmon edhe njëherë instinktin e tij “vrastar” brenda zonës.