Boksieri i njohur vritet në Meksikë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Meksikë, ku talenti i ri i boksit, Josue David Hernandez, është vrarë në moshën vetëm 20-vjeçare, gjatë një përpjekjeje për të mbrojtur motrën e tij nga një sulm me thikë në shtëpinë e familjes, pranë Mexico City. Incidenti ndodhi të martën e kaluar, kur Hernandez po qëndronte në shtëpi me katër motrat e tij. Ai u godit fatalisht gjatë një përleshje, ndërsa autoritetet dyshojnë se agresori mund të ketë qenë një i afërm i familjes. Mjekët mbërritën shpejt, por ai kishte ndërruar jetë në vendngjarje. Agresori është ende në arrati.

Josue Hernandez ishte një nga talentet më premtuese të boksit meksikan. Ai kishte nisur stërvitjen në moshën 10-vjeçare dhe kishte fituar disa turne kombëtare në nivel amator. Ai po përgatitej për debutimin e tij profesionist dhe pritej të bënte një karrierë të suksesshme.

Vdekja e tij ka tronditur edhe trajnerin e tij, ish-kampionin Titan Rodriguez, i cili shpërndau një mesazh prekës pas lajmit: “Sot u zgjova me lajmin shkatërrues se ti nuk je më. Miku im, vëllai im, partneri im i vrapimeve… kishim kaq shumë ëndrra përpara.” Rodriguez shtoi se do të vazhdojë të punojë për të realizuar objektivat që kishin vendosur së bashku, duke e nderuar kujtimin e tij.

Vdekja tragjike e Hernandez ka shkaktuar dhimbje të thellë në komunitetin e boksit, ndërkohë që autoritetet vazhdojnë hetimet për të gjetur dhe arrestuar autorin e ngjarjes.

sfidanti.al