Roberto Baggio godet futbollin italian

Roberto Baggio ka ngritur zërin sërish për gjendjen e futbollit italian, duke ofruar një analizë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë mbi problemet që, sipas tij, po e frenojnë zhvillimin e kampionatit.

“Shpesh shoh futbollistë në Serie C ose Serie D me talent të jashtëzakonshëm, që e zotërojnë topin si pakkush. Më ndodh të ndalem, t’i vëzhgoj dhe të pyes veten: Si ka mundësi që lojtarë të tillë mbeten në nivele kaq të ulëta? Si është e mundur që askush nuk i ka dalluar ende?”, tha ish-ylli italian.

Sipas Baggios, kontrasti me atë që ndodh në elitë është edhe më i madh:
“Pastaj shoh lojtarë që shkojnë në Serie A dhe s’janë gjë tjetër veç numrash në statistika. Futbollistë të marrë nga kampionate të panjohura, por që, për arsye të caktuara, hyjnë në rrjetin e duhur dhe arrijnë në elitë ‘si me magji’. Atëherë pyes veten: është meritë e tyre, apo ndikimi i menaxherëve dhe sponsorëve? Nuk kam përgjigje…”

Baggio theksoi edhe një herë idenë e tij të kahershme: për ta ringritur futbollin italian duhen më shumë futbollistë italianë në qendër të projektit. “Në kategoritë e ulëta ka shumë djem cilësorë. Në kohën time, në Serie A vinin vetëm të huaj që vërtet meritonin të ishin aty. Sot kjo logjikë nuk ekziston më.”

Legjenda italiane bëri thirrje që klubet të investojnë më tepër tek akademitë, duke marrë shembullin e Gjermanisë dhe Spanjës, ku puna me të rinjtë ka qenë e qëndrueshme dhe e suksesshme për vite me radhë.

“Klubet duhet të zgjohen, përfshirë edhe ato të mëdhatë. Për të përmirësuar futbollin tonë, duhet t’i japim më shumë hapësirë futbollistëve dhe më pak pushtet menaxherëve,” përfundoi Baggio.

sfidanti.al