Jeta e Miguel Palencia ndryshoi në një çast: në moshën 20-vjeçare ishte pjesë e Real Madrid të Galaktikëve dhe stërvitej me lojtarë të kalibrit të Ronaldo, Beckham, Figo, Roberto Carlos, Raul dhe Casillas, i cili ishte shoku i tij i preferuar i udhëtimeve për transfertat. Në një moment të caktuar ai u gjend në kategorinë e tretë të Belgjikës, ndalesa e fundit e udhëtimit para se të varte këpucët në gozhdë dhe të përpiqej të mbijetonte, duke fituar 300 euro në muaj. Ish-lojtari ka treguar historinë e tij në podcast-in Los Fulanos, duke folur për rënien dramatike që përjetoi kur ishte shumë i ri dhe për vështirësitë që iu desh të kalonte përpara se të rikthehej në botën e futbollit me një rol tjetër, atë të analistit sportiv për televizionin e Real Madrid.
Historia e spanjollit Palencia ka filluar kur ai ishte shumë i ri. Luante si mbrojtës i majtë te La Fabrica, akademia e famshme e të rinjve e Real Madridit, dhe debutoi në ekipin e parë në kohën kur Galaktikët ishin të plotë: spanjolli ndante dhomën e zhveshjes me ikonat më të mëdha botërore, ulej pranë Casillas në autobus dhe ishte edhe mik i CR7, një skenar ëndrrash për një djalë vetëm 20-vjeçar të hedhur në futbollin e madh nga Vanderlei Luxemburgo: “Ishte koha e Galaktikëve. Ishte gjithashtu një periudhë e komplikuar. Kishte shumë yje. Bander dhe Luxemburgo më bënë të debutoja dhe të qëndroja shumë muaj me ekipin e parë.”
Gjithçka ndryshoi kur në pankinën e Castilla (skuadra B e Real Madrid) erdhi Michel Gonzalez, i cili e hoqi menjëherë nga formacioni titullar dhe i pengoi që të bënte hapin përfundimtar drejt ekipit të parë, siç pritej nga të gjithë. Në podcast Palencia zbuloi frazën që i shkatërroi karrierën dhe që nuk do ta harrojë kurrë: “Harroje Real Madrid. Aspiro te Betis, te Sevilla, te kombëtarja… por këtu nuk ka më vend për ty.”
Për të u hap një humnerë: “Më vrau psikologjikisht. Ishim në gjysmë të sezonit. Kisha debutuar me ekipin e parë të Real Madrid, kisha dalë në kopertinat e Marca dhe një vit e gjysmë më pas isha në një skuadër të kategorisë së dytë të basketbollit femëror për 300 euro duke u marrë me përgatitjen fizike.”
sfidanti.al

