Trump: Djali im është tifoz i madh i Ronaldos

Cristiano Ronaldo, ‘ylli’ portugez i Al-Nassr në Arabinë Saudite, ka qenë një nga të ftuarit specialë në darkën zyrtare të organizuar në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan, Donald Trump, në nder të princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Ceremonia e mbajtur në Uashington mblodhi emra të rëndësishëm nga politika dhe biznesi botëror. Mes tyre ishin CEO-ja i Tesla-s, Elon Musk, shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, dhe të tjerë drejtues të mëdhenj të industrisë teknologjike. Megjithatë, ishte Ronaldo ai që tërhoqi vëmendjen më të madhe të medieve dhe të të ftuarve. Presidenti Trump, i cili e priti personalisht ‘yllin’ 40-vjeçar, u shpreh me entuziazëm për praninë e tij:

“Faleminderit që jeni këtu, është një nder i madh. Djali im është një tifoz i madh juaji,” deklaroi ai, duke e vlerësuar Ronaldon jo vetëm si sportist, por si një nga figurat më të ndikueshme në botën moderne. Ronaldo, i veshur në stil ‘black-tie’ për mbrëmjen gala, u përshëndet ngrohtësisht nga të pranishmit dhe u fotografua teksa ndau momente të shkurtra bisede si me presidentin Trump, ashtu edhe me princin saudit, Mohammed bin Salman. Vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë konfirmon edhe një herë statusin global të portugezit si një ikonë që tejkalon kufijtë e futbollit.