Paul Pogba mund të rikthehet në fushë

Paul Pogba duket se është gati t’i japë fund pritjes së gjatë dhe të kthehet sërish në fushë pas më shumë se dy vitesh mungesë. Sipas medieve franceze, mesfushori i Monakos është tashmë plotësisht i rikuperuar nga problemet fizike që e kanë shqetësuar javët e fundit dhe mund të jetë gati të luajë kundër Rennes këtë fundjavë.

Ish-‘ylli’ i Juventusit dhe Manchester United nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare prej 26 muajsh, duke kaluar një periudhë të vështirë të mbushur me pezullim për doping, dëmtime të shumta dhe madje edhe skandale familjare që çuan në një betejë gjyqësore me vëllanë e tij.

Ndeshja e fundit e Pogba-së daton më 3 shtator 2023, kur ai zhvilloi 28 minuta me fanellën e bardhezinjve kundër Empolit. Prej atëherë, tentativa për rikthim ka qenë e vazhdueshme, por çdo herë është shtyrë për shkak të dëmtimeve të vogla që e kanë penguar të debutonte me Monakon.

Mesfushori 32-vjeçar iu bashkua klubit francez në verën e vitit 2025 si lojtar i lirë, duke firmosur një kontratë dyvjeçare. Plani fillestar ishte që ai të rigjente formën gradualisht pas mungesës së gjatë, por problemet fizike të njëpasnjëshme e ngadalësuan procesin. Tani, me të gjitha dëmtimet pas krahëve, dëshira e Pogbas për të nisur një kapitull të ri me Monakon duket më e afërt se kurrë.

sfidanti.al