Kombëtarja U-21 fitoi edhe miqësoren e dytë të nëntorit ndaj Ukrainës U-21 me rezultatin 2-0. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në “Elbasan Arena” dhe golat e fitores i shënuan Ermir Rashica dhe Gjergji Kote.
Trajneri Alban Bushi e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Simon Simoni (GK), Elton Fikaj, Ervin Bashi, Gabriel Ramaj, Feta Fetai (C), Burak Alili, Ermir Rashica, Etnik Brruti, Aidon Shehu, Arlind Kurti, Fabjan Përndreca.
Sërish Rashica provoi në minutën e 12-të me një tjetër goditje të rrezikshme, por u ndal nga portieri kundërshtar.
Kuqezinjtë ishin të vendosur mirë në mbrojtje dhe shmangën çdo rrezik.
Shqipëria mori avantazhin në minutën e 39-të me Ermir Rashicën, i cili përfitoi brenda zonës dhe dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 1-0.
Fraksioni i dytë nisi në të njëjtën mënyrë për kuqezinjtë, të cilët ishin të vendosur mirë në prapavijë dhe u shfaqën rrezikshëm në portën kundërshtare me kundërsulme të shpejta.
Trajneri Bushi kreu dy zëvendësimet e para në minutën e 65-të. Nga loja dolën Brruti dhe Rashica, ndërsa u aktivizuan Kevin Dodaj dhe Rrok Toma.
Deri në fund të ndeshjes, kuqezinjtë administruan shumë mirë ndeshjen dhe në kohën shtesë shënuan edhe golin e sigurisë me Gjergji Koten. Një aksion shumë i bukur i nisur nga Dodaj dhe i finalizuar nga Kote.
Dy fitore në ndeshjet miqësore të nëntorit për Kombëtaren U-21 ndaj Moldavisë dhe Ukrainës.
Testet miqësore janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë U-21, pasi janë pjesë e përgatitjeve për Europianin U-21 2027.
sfidanti.al

