Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur konferencë për shtyp para ndeshjes vendimtare kundër Zvicrës, e cila do të zhvillohet të martën mbrëma, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45. Diferenca në pikë mes dy skuadrave është vetëm tri, me Zvicrën që kryeson me 13 pikë dhe Kosovën me 10 pikë.
Megjithatë, për kualifikimin direkt, Kosova do të duhet të arrijë një fitore të thellë 6-0, një rezultat që për Fodën është shumë i vështirë. “Në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës nuk e treguam fytyrën tonë të vërtetë. Matematikisht jemi ende në garë për vendin e parë, por realisht fitorja 6-0 është shumë e vështirë,” deklaroi Foda. Ai foli edhe për situatën e Edon Zhegrovës, duke theksuar rëndësinë e lojtarit për ekipin:
“Nuk kam thënë se i garantoj minuta Edon Zhegrovës. Megjithatë ne e dimë situatën e tij, ai është i qetë dhe shumë i rëndësishëm për ne,” shtoi përzgjedhësi. Kosova do të kërkojë një performancë maksimale në përballjen me Zvicrën, ndërsa sfida ka rëndësi kyçe për rrugëtimin drejt Botërorit 2026. Mbrojtësi dardan, Albian Hajdari, që më parë ka luajtur për Zvicrën, është shprehur se kanë instaluar një mentalitet fitues. “Besoj që çdo ndeshje është e rëndësishme si çdo ndeshje tjetër. E kemi një mentalitet që kërkojmë gjithmonë fitoren.
Ne duhet të fitojmë edhe ndaj Zvicrës. Ne shkruam historinë në ndeshjen e fundit, por duhet të shkruajmë histori edhe me pikë duke fituar dhe duke marrë më shumë pikë”, tha Albian Hajdari.
sfidanti.al

