E nisi rrugëtimi 9 vjet më parë nga vendi i findit por sot është një mga skuadrat më të forta e të bukura të kontinentit.
Kosova vazhdon të ngjitet në skenën e madhe të futbollit ndërkombëtar. Pas tetë vitesh nga ndeshja e saj e parë zyrtare e njohur nga FIFA — miqësorja historike e 3 qershorit 2016 kundër Ishujve Faroe — “Dardanët” regjistruan një tjetër moment epokal.
Në Maribor me triumfin 2-0 ndaj Sllovenisë, për herë të parë në historinë e saj Kosova siguroi kualifikimin në playoff për Kupën e Botës. Një arritje e madhe për një kombëtare të re, që vit pas viti ka treguar rritje dhe personalitet në arenën ndërkombëtare ashtu si edhe klubet vendase, tre herë pjesëmarrëse në ndeshjet e grupeve të Conference League.
Në këtë edicion eliminator, Kosova ka regjistruar 3 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje, pikërisht ndaj Zvicrës kryesuese të grupit. Sfidën e fundit do ta luajë pikërisht kundër helvetikëve, të cilët mbajnë 3 pikë avantazh dhe kanë një golaverazh dukshëm më të mirë, por objektivi i Kosovës tashmë është arritur.
Skuadra e udhëhequr nga kapiteni Amir Rrahmani dhe e mbështetur në talentin e lojtarëve si Edon Zhegrova dhe Vedat Muriqi, ka prekur një tjetër etapë të rëndësishme të rrugëtimit të saj. Kosova jo vetëm që konfirmon rritjen e vazhdueshme — që kulmoi me promovimin në Ligën B të Nations League në sezonin 2024/2025 — por tashmë hyn në zonën e ekipeve që duhet t’u kesh kujdes në fazat vendimtare.
Ndërsa ëndrra e parë e Botërorit mbetet ende për t’u shkruar, Kosova ka fituar diçka edhe më të madhe: bindjen se mund të jetë një konkurrente e denjë në futbollin europian. Dhe në playoff, “Dardanët” premtojnë se do ta luftojnë deri në fund ëndrrën e një populli të tërë.
sfidanti.al

