Kampionati italian i futbollit po përjeton një rënie të ndjeshme të numrit të golave. Sipas të dhënave të publikuara nga Corriere dello Sport, pas 11 javësh të Serie A 2025/26 janë shënuar vetëm 244 gola, ndërsa në të njëjtën periudhë të sezonit 2020/21 ishin regjistruar 355 gola — plot 111 më shumë.
Ekspertët e futbollit italian e lidhin këtë rënie me ndryshimet taktike dhe mungesën e sulmuesve të kalibrit të lartë. Shumica e skuadrave po përdorin formacione të bazuara në mbrojtje, si 3-5-2 apo 5-3-2, që kufizojnë hapësirat për lojën ofensive.
Një tjetër tregues alarmues është numri rekord i barazimeve pa gola: 17 ndeshje 0-0 në vetëm 11 javë – shifra që nuk është regjistruar më parë në kampionatin italian me 20 skuadra.
Sipas analizës së Corriere dello Sport, në mesatare, çdo skuadër ka shënuar rreth pesë gola më pak krahasuar me pesë vite më parë. Ekspertët theksojnë se, ndonëse janë bërë përpjekje për të rritur spektaklin dhe ritmin e lojës, frytet e tyre ende nuk po ndihen në fushë.
Në përfundim, media italiane apelon për një “rikthim të guximit ofensiv” në Serie A, për t’i dhënë kampionatit më shumë emocion dhe spektakël – dy elemente që e kanë bërë dikur futbollin italian një nga më tërheqësit në botë.
sfidanti.al

