Boksieri britanik rrezikon 33 vite burg në Turqi

Boksieri britanik, Ross Kitchen, 33 vjeç, rrezikon deri në 33 vite burg në Turqi pas një sulmi të dhunshëm ndaj një taksisti në Stamboll. Ngjarja ndodhi më 14 prill, në zonën e Eyüpsultan, pasi taksisti Kadir Bicer, 56 vjeç, e kishte marrë Kitchen nga aeroporti për ta çuar në qytet.

Sipas raportimeve të mediave turke, gjatë udhëtimit boksieri humbi kontrollin dhe u përpoq t’i kafshonte hundën shoferit, duke e goditur në mënyrë të përsëritur. Sipas prokurorisë, ai akuzohet për “sulm të qëllimshëm me pasoja të rënda fizike dhe ndjenja monstruoze” si dhe për “grabitje të rënduar”. Bicer mbeti në gjendje kritike dhe vijon të luftojë për jetën. Para gjykatës, Kitchen deklaroi se kishte vepruar nga frika, duke pretenduar se mendonte se po rrëmbehej: “Nuk ndihesha mirë as para se të vija në Turqi. Mendova se po më rrëmbenin, prandaj sulmova,” tha ai, duke shtuar se vuan nga sulme paniku. Rasti ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin turk, ndërsa autoritetet theksojnë se po e trajtojnë ngjarjen si një akt dhune të jashtëzakonshëm. Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet në javët e ardhshme.

sfidanti.al