Jannik Sinner kthehet nr. 1 në botë

Jannik Sinner ka shkëlqyer sërish në skenën e madhe të tenisit botëror. ‘Ylli’ italian triumfoi në Masters 1000 të Parisit, duke mposhtur në finale kanadezin Felix Auger-Aliassime me rezultatin 6-4, 7-6, dhe u rikthye në krye të renditjes ATP, duke e kaluar Carlos Alcaraz në majë të klasifikimit global. Në parketin e shpejtë të ‘Défense Arena’, Sinner tregoi maturi, forcë mentale dhe një nivel të jashtëzakonshëm loje. Seti i parë u vendos falë një brejku të hershëm, me italianin që shërbeu fuqishëm dhe mbajti ritëm agresiv në shkëmbime, duke përfituar nga tensioni dhe gabimet fillestare të kundërshtarit. Në setin e dytë, Auger-Aliassime u përpoq të reagonte, ndërsa Sinner humbi disa mundësi për ta mbyllur ndeshjen më herët,  dy pikë me ‘break’ thyerjeje në lojën hapëse dhe tri të tjera në lojën e shtatë. Megjithatë, në tie-break, kampioni italian shfaqi qetësi të hekurt dhe vendosi fatin e finales me një paraqitje të pagabueshme në pikët vendimtare.

Ky është titulli i 23-të në karrierën së Sinner-it dhe i pesti për këtë sezon, pas triumfeve në Australian Open, Wimbledon, Pekin dhe Vjenë. Fitimi i Rolex Paris Masters jo vetëm që e vendos përsëri në fronin e tenisit botëror, por gjithashtu i jep shpresa Lorenzo Musetti-t për t’u kualifikuar në ATP Finals të Torinos, duke e mbajtur garën të hapur në javët e fundit të sezonit. Një tjetër dëshmi se Jannik Sinner është sot jo vetëm lider i renditjes, por edhe lider i padiskutueshëm i gjeneratës së re të tenisit.

sfidanti.al