Dinamo do “hakmarrje” ndaj Teutës

Dinamo do të luajë të hënën kundër Teutës në kuadër të javës së 10 të Superiores. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, po kalon një moment të mirë, teksa Teuta pësoi humbjen e parë këtë sezon vetëm pak ditë më parë, duke u mundur nga Egnatia. Në sfidën e të hënës, e planifikuar të luhet në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 17:00, dy skuadrat synojnë që të marrin fitore për të nisur mirë fazën e dytë.

Teuta-Dinamo duhej të ishte sfida debutuese për Superioren, mirëpo angazhimi i Dinamos në Europë dhe grumbullimi i lojtarëve me Kombëtaren, bënë që ndeshja të shtyhej dy herë. Në sfidën e fazës së parë, Teuta arriti të fitonte me rezultatin 1-0, duke thelluar krizën që pat kapur skuadrën e Dinamos. Të besuarit e Dajës, morën humbjen e dytë radhazi në kampionat, humbje kjo që u pasua me një tjetër barazim ndaj Bylisit dhe që solli jo pak tension te Dinamo. Sfida e parë, nuk kaloi pa polemika dhe ishte trajneri Ilir Daja ai që shfaqi pakënaqësi për mënyrën se si u zhvillua ndeshja, duke pretenduar se kishte shumë pak minuta efektive dhe se gjyqtari Jorgji nuk kishte lejuar që të luhej një lojë me ritëm. Dinamo do të duhet të bëjë pa shërbimet e Naser Alijit i cili ende nuk e ka kaluar dëmtimin që ka pësuar ditë më parë. Mbrojtësi gjendet aktualisht pranë familjes së tij, pasi vetëm 2 ditë më parë, nëna e tij u nda nga jeta dhe klubi i ka dhënë leje që të bashkohet me familjen në këtë moment të vështirë. Pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e plotë, ndërkohë që i vetmi që rrezikon për shkak të kartonëve, është Gudiabi. Mesfushori ka arritur në kuotën e 3 kartonëve dhe nëse do të ndëshkohet ndaj Teutës, ai do të mungojë për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Vllaznisë në Shkodër. Mesjavën e shkuar, është mbyllur faza e parë e Superiores, ku të dyja ekipet kanë treguar se janë pretendentë për të fituar titullin kampion këtë sezon. Sa i përket klasifikimit, Dinamo renditet në vendin e katërt, me pikë të barabarta me Egnatian e vendit të tretë, të dyja në kuotën e 17 pikëve. Sakaq, bregdetarët kanë vetëm 3 pikë më pak dhe renditen në vendin e pestë ndërkohë që Dinamo ka pësuar dy humbje, kundrejt 1 humbjeje që ka pësuar Teuta.

sfidanti.al