‘Ylli’ i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, ka qenë figura më e kërkuar në Google gjatë ditës së ‘El Clásico’-s, duke lënë pas ‘yjet’ e Real Madridit, Vinicius Junior dhe Kylian Mbappé. Që para ndeshjes, Lamine kishte tërhequr shumë vëmendje për shkak të deklaratave të tij gjatë një interviste me Ibai Llanos, ku la të kuptohej se “Reali vjedh”. Këto fjalë u interpretuan si provokim nga tifozët madrilenë dhe ndezën rrjetet sociale.
Gjatë ndeshjes dhe pas saj, interesi ndaj 18-vjeçarit shpërtheu edhe më shumë. Sipas ‘Google Trends’, termi “Lamine” regjistroi një volum kërkimesh shumë më të madh se “Vinicius” apo “Mbappé”, pavarësisht se francezi shënoi një gol dhe humbi një penallti, ndërsa braziliani u përfshi në një debat me trajnerin Xabi Alonso. Jo vetëm në ‘Google’, por edhe në rrjetet sociale, Lamine Yamal është kthyer në fenomen: një ditë pas ndeshjes ai mbetet tendenca numër një, me mbi gjysmë milioni ndërveprime, një shifër shumë mbi mesataren për një futbollist të moshës së tij.
Këto të dhëna tregojnë qartë se, për mirë apo për keq, Lamine Yamal është bërë qendra e vëmendjes në botën e futbollit, duke eklipsuar edhe ‘yje’ të mëdhenj si Vinicius dhe Mbappé.
sfidanti.al

