Futbolli amerikan është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të ish-yllit të NFL, Doug Martin, në moshën 36-vjeçare. Lajmin e hidhur e konfirmoi familja e tij për “Fox Sports”, duke kërkuar respekt për privatësinë në këtë moment të vështirë. Shkaku i vdekjes mbetet ende i pakonfirmuar.“Me pikëllim të madh ju njoftojmë se Doug Martin ndërroi jetë të shtunën në mëngjes. Shkaku i vdekjes është ende i paqartë. Ju lutemi, respektoni privatësinë tonë në këtë kohë,” thuhej në deklaratën e familjes.
Martin u përzgjodh në vendin e 31-të të raundit të parë të Draftit të NFL 2012 nga Tampa Bay Buccaneers, pas një karriere të shkëlqyer në universitetin Boise State. Ai bëri menjëherë përshtypje si një nga “rookie” më të spikatur, duke vrapuar për 1,454 jardë dhe 11 touchdown në sezonin e tij të parë, çka i siguroi ftesën në Pro Bowl. Në vitin 2015, Martin regjistroi 1,402 jardë dhe 6 touchdown, duke u shpallur All-Pro i formacionit të parë dhe duke u rikthyer sërish në Pro Bowl. Gjatë karrierës së tij, ai grumbulloi 5,356 jardë vrapimi dhe 30 touchdown në gjashtë sezone me Buccaneers dhe një me Oakland Raiders, si dhe 148 pritje për 1,207 jardë dhe dy shënime. Klubi Tampa Bay Buccaneers publikoi një deklaratë zyrtare pas lajmit të trishtë: “Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja e papritur e Doug Martin. Ai la një gjurmë të qëndrueshme në historinë e klubit tonë dhe do të mbahet mend gjithmonë si pjesë e familjes së Buccaneers.” Doug Martin u përfshi gjithashtu në listën e 50 lojtarëve më të mirë në historinë e klubit, në kuadër të 50-vjetorit të themelimit të Buccaneers.
sfidanti.al