Në vitin 2022, pak ditë para ditëlindjes së tij të 18-të, sportisti kinez Su Yiming përjetoi momentin më të madh të jetës — fitoren e medaljes së artë olimpike në disiplinën “big air” në Lojërat Dimërore të Pekinit. Ishte një çast që ndryshoi gjithçka për djaloshin e talentuar, i cili u bë menjëherë një simbol i gjeneratës së re kineze.
Nga skena e filmit në pistat me dëborë
Para se të bëhej një yll i sportit, Su ishte tashmë i njohur në Kinë si aktor fëmijë. Ai luajti në disa filma e seriale televizive, ndër të cilat spikat roli i tij në filmin e suksesshëm “The Taking of Tiger Mountain”. Por pasionin për dëborën nuk e la kurrë pas. I rritur në një familje snowboarderësh, Su nisi të praktikonte sportin që në moshën katërvjeçare, ndërsa malet e Kinës veriore u bënë “shtëpia” e tij e dytë.
Rruga drejt majës olimpike
Pas vendimit për t’iu përkushtuar plotësisht sportit në vitin 2018, Su u përfshi në garat e para ndërkombëtare, ku talenti i tij u dallua menjëherë. Në Lojërat e Pekinit, ai jo vetëm që fitoi medaljen e artë në “big air”, por edhe të argjendtën në “slopestyle”, duke hyrë në histori si një nga sportistët më të suksesshëm të Kinës në sportet dimërore. Pas suksesit madhështor, fama e tij shpërtheu. Markat luksoze, si Louis Vuitton, e ftuan në sfilata dhe bashkëpunime, ndërsa ai u bë një figurë publike e ndjekur nga miliona ndjekës në rrjetet sociale. “Më ndjekin shumë të rinj, ndaj përpiqem të jem shembull për ta,” tha Su për CNN Sports. “Nëse ke një ëndërr dhe i përkushtohesh 100%, ajo do të bëhet realitet një ditë.”
Pas medaljes: boshllëku i suksesit
Megjithatë, pas përfundimit të Olimpiadës, Su pranoi se kaloi një periudhë të vështirë. “E humba disi pasionin për garat. U ndjeva bosh, sepse ëndrra ime e madhe ishte përmbushur,” rrëfeu ai. Sportisti vendosi të bëjë një pushim njëvjeçar për të rigjetur ekuilibrin mendor dhe fizik, duke kaluar kohë me familjen, miqtë dhe në natyrë. “Nisa të rrëshqas përsëri në dëborë, por pa presion, vetëm për argëtim. Kjo më ndihmoi të rikthehem më i fortë.”
Kthimi me objektiva të rinj
Sot, në moshën 21-vjeçare, Su Yiming është gati të mbrojë titullin e tij olimpik në Lojërat Dimërore të Italisë 2026. Me një përvojë të re, një vetëdije më të qetë dhe miliona fansa pas vetes, ai synon të rikthehet në podium, këtë herë si kampion që e njeh mirë peshën e suksesit.
sfidanti.al