Ronaldo nervoz shpërthen: Unë kam kaluar “Golgotën”!

Kristiano Ronaldo shënoi golin e parë të avantazhit për Realin në ndeshjen vendimtare (2-0), të zhvilluar në “La Rosaleda”, ndaj Malagës. Kështu që pritej që ylli kryesor i ekipit, Ronaldo, të thoshte fjalë pozitive që do ta përmirësonin edhe më shumë atmosferën e krijuar në kampin madridas mbas fitores ndaj Malagës, që i siguroi Realit titullin e kampionit të Spanjës. Por, Ronaldo, në të kundërt, shpërtheu, duke nxjerrë dufin, para medias, për atë që ai kishte hequr gjatë të gjithë sezonit, duke e konsideruar si një “Golgotë” (rruga e mundimeve) të vërtetë trajtimin e keq që atij i kishte bërë opinioni publik. Ronaldo nuk i kurseu kritikat në adresë të të gjithë atyre që e kishin kritikuar atë, ndërsa vuri në dukje si një njeri, si ai, që ka familje dhe fëmijë, nuk duhet të trajtohet në një mënyrë të tillë.

“Nervozohem shumë, kur njerëzit thonë për mua shumë gjëra, ndërkoë që nuk dinë asgjë. Për këtë arsye, unë nuk e ndjek as median dhe as televizionin, sepse, po ta bëja këtë, nuk do të kisha jetë normale. Njerëzit flasin për mua, sikur unë të jem ndonjë kriminel, si një njeri që çdo hap e bën të gabuar. Kjo është një Golgotë e vërtetë! Kur njerëzit flasin për Kristianon, ata, zakonisht, gabojnë, qoftë kur është fjala për në fushë, qoftë për jashtë saj. Por, kritikat në futboll mua nuk më shqetësojnë, pasi me atë që kam arritur, unë mund t’ua mbyllë gojën këtyre kritikëve”, thotë Ronaldo, duke shtuar se “unë e di se nuk jam i shenjtë, por nuk jam as djall që dikush ka dëshirë të më konsideroj mua”.

Sfidanti.al