Në një ndeshje historike në Leskovac, Shqipëria triumfoi 0-1 ndaj Serbisë, falë një super-goli të Rei Manajt në fund të pjesës së parë.
Djemtë e Kombëtares injoruan thirrjet fyese dhe raciste të tifozëve vendas, duke treguar karakter dhe unitet. Me këtë fitore të merituar, Kuqezinjtë mbajnë gjallë ëndrrën për t’u kualifikuar në Botëror, duke shkruar një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar.
Në minutat e para serbët u dukën më kërkues, gjithsesi kuqezinjtë reaguan shumë shpejt duke provuar disa herë me anë të krosimeve të Asllanit.
Ishte pikërisht një nga këto të fundit, që në fund të pjesës së parë sollën dhe festën kuqezi. Rey Manaj, sulmuesi që u kritikua për penalltinë e humbur në Tiranë, ishte në kohën e duhur dhe në vendin e duhur që me të djathtën të lëshonte një gjuajtje të pakapshme për Petrovic, duke kaluar në avantazh kuqezinjtë.
Festa me shqiponjë e sulmuesit shqiptar “tërboi” dhe më shumë serbët, që shpërthyen me thirrje “vdekje shqiptarëve”.
Në pjesën e dytë, serbët tentuan të barazonin sfidën, por në çdo rast Strakosha u tregua i vëmendshëm dhe i kujdesshëm për të ndalur çdo aksion të vendasve.
Pas vërshëllimës së fundit, shpërtheu sërish festa kuqezinjtë, me Shqipërinë që qëndron kështu në vendin e dytë të Grupit K me 11 pikë, 4 më shumë se serbët.
sfidanti.al