Derbi Partizani-Tirana do të luhet të premten e 3 tetorit, prej orës 19:00. Të kuqtë janë kthyer në “Air Albania” si klub pritës, ndërsa sfida është e pazakontë pasi i gjen për herë të parë të dyja skuadrat respektive në zonën e ftohtë të renditjes. Renditja duket se ka ndikuar edhe në interesin e tifozëve për sfidën e së premtes. Deri tani nuk kalohet numri i 1500 biletave të shitura, ndërkohë që ndeshja është dy ditë larg. Nga biletat e shitura, 1000 i përkasin sektorëve prapa porte ku vendosen edhe ultrasit. Në sektorët N janë shitur rreth 500 bileta deri tani, po ashtu edhe në sektorët S. Për sektorët përballë ku çmimet variojnë nga 1000 lekë deri në 1500 lekë të reja, në total janë shitur rreth 450 bileta. Kati i dytë i stadiumit “Air Albania” me shumë gjasa nuk do të hapet për shkak të interesit të ulët.
sfidanti.al