Duro stërvit Besën me dy seanca në ditë

Pas njohjes dhe skanimit të të gjithë grupit, trajneri Shpëtim Duro ka urdhëruar që të zhvillohen dy seanca stërvitore në ditë. Kështu ka ndodhur të hënën, por edhe të martën. Madje, dje është parë një bisedë e gjatë mes presidentit Nexhat Bizhdili dhe trajnerit Shpëtim Duro, ndërsa ndihmëstrajneri Fidaim Haxhiu zhvillonte nxehjen e grupit. Si kurrë më parë, verdhezinjtë kanë thyer një rekord të zymtë në historinë e tyre, duke u renditur të dytët, por nga fundi i tabelës së klasifikimit pas pesë javësh kampionat. Trajneri Shpëtim Duro, në deklaratën e tij pas barazimit me Lushnjën, vuri theksin kryesisht te manovra sulmuese, ku qendërsulmuesi i Besës, Godsuill Çinuendu, në pesë javë nuk ka shënuar ende asnjë gol. Përzgjedhjen e gabuar të disa lojtarëve e mori përsipër vetë presidenti Bizhdili në një deklaratë publike, por ai nuk tregoi se kush ia kishte rekomanduar këta futbollistë. Gjykuar nga pikët, kushdo mund të thotë se Besa ka marrë atë që ka merituar, por në fakt kjo nuk është e vërtetë. Në tre takimet e fundit ndaj Apolonisë, Burrelit dhe Lushnjës, ishte Besa ajo që shënoi e para në të trija ndeshjet.

Megjithatë, tashmë dihet se skuadra pësoi 2 gola nga Apolonia dhe po aq nga Burreli, duke humbur pikë të rëndësishme. Në të gjitha këto sfida verdhezinjtë kanë dominuar në lojë dhe në raste, por konstatimi i Duros është më se i drejtë. Për momentin, Besa nuk ka asnjë sulmues në dispozicion përveç Çinuendusë. Në këto kushte, trajnerit Shpëtim Duro do t’i duhet të kërkojë alternativa të tjera taktike, që mesfushorët apo mbrojtësit të marrin përsipër edhe realizimin e golave. Ndoshta edhe sulmuesi Çinuendu “më në fund” do të shënojë, por deri atëherë pikët po ikin dhe pozita e Besës bëhet gjithnjë e më e vështirë. Gjithsesi, përpara Besës është një transfertë e vështirë në Fushë-Krujë, ku mbi të gjitha pritet të zhvillohet një ndeshje “fair-play”, nisur nga precedentët që Iliria ka pasur më parë. Kujtojmë këtu takimin e vitit të kaluar me Luzin, po të Kavajës. Verdhezinjve u duhet patjetër të gjejnë fitoren e parë, pasi ndikim jo të vogël ka edhe ngërçi psikologjik që krijohet kur rezultatet negative vijnë njëra pas tjetrës.

sfidanti.al