Një njeri tepër ambicioz nuk mund të kënaqet kurrë me pak. E ka plotësisht etikën maksimale të punës Antonio Konte dhe tifozët e Çelsit po ëndërrojnë me sytë hapur për atë që mund të ndodhë sezonin e ardhshëm. Suksesi 5-1 ndaj Sandërlendit thjesht i dha fund një edicioni të mrekullueshëm të Premier Ligës, fituar dy ndeshje më përpara dhe me plot 93 pikë. Konte mbeti vetëm 2 pikë larg rekordit absolut të Premier Ligës, vendosur pikërisht nga Çelsi në 2005, i drejtuar prej Murinjos.
Pasi u bënë xhirot e nderit dhe ceremonia madhështore në “Stemford Brixh”, pasi kupa u puth nga të gjithë, si një “nuse” e gjithë Çelsit, mendimi i Kontes menjëherë shkon tek finalja e Kupës së Anglisë. Ndeshja do të luhet të shtunën e ardhshme në “Uembli”, dhe në orën 18:15 përballë Bluve do të jetë Arsenali i Arsen Vengerit. Shpresat janë për “double”, ndërsa ëndrra e madhe është konkurrimi sezonin tjetër në Ligën e Kampionëve. Murinjo, Hidink dhe Ançeloti nuk ia dolën, ndërsa papritmas kampion i Europës me Çelsin u shpall Roberto Di Mateo. Konte është italian si ai, dhe ndoshta kjo mund ta ndihmojë.
Sfidanti.al