Marcus Rashford ishte parashikuar të ishte titullar në ndeshjen e Barcelonës kundër Getafes, por përfundoi në stol për një arsye të pazakontë: dy minuta vonesë në një mbledhje para ndeshjes. Sipas medieve britanike, sulmuesi anglez u vonua sepse po plotësonte elektronikisht informacionin e përditshëm që kërkon klubi nga lojtarët. Por kjo nuk e bindi Hansi Flick-un, i cili ka vendosur një rregull të hekurt: kush nuk respekton orarin, nuk luan nga minuta e parë. Në vend të Rashford-it, trajneri gjerman aktivizoi Ferran Torres, i cili shënoi dy gola dhe u bë protagonist i fitores 3-0. Vetëm pas pushimit Rashford u fut në lojë, duke zëvendësuar Raphinha-n dhe dhuruar asistin për golin e Dani Olmos. Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji te Barcelona e Flick. Më herët të njëjtin dënim e kanë pësuar Raphinha, Jules Koundé dhe Iñaki Peña, të gjithë të penalizuar për vonesa në mbledhje apo stërvitje. Rashford ka pasur episode të ngjashme edhe te Manchester United, kur në vitin 2022 u gjobit për shkak se kishte fjetur më gjatë dhe nuk arriti në kohë në një takim me skuadrën. Me Flick-un, mesazhi është i qartë: disiplinë absolute mbi gjithçka, edhe kur bëhet fjalë për një ‘yll’ të madh si Rashford.
