Sadiku shënon dhe afron Europën, Hyka quhet “Mesi” në Amerikë!

Duhen edhe dy ndeshje, por Europa është pranë.  Me Armando Sadikun në skuadër, Lugano mund të ëndërrojë një kualifikim kontinental që as nuk e mendonte. Sulmuesi i kombëtares shqiptare shënoi golin e parë në fitoren 2-1 ndaj Vaducit, duke e ngjitur në vend të tretë ekipin e drejtuar nga ish-ndihmësi i De Biazit, Paolo Tramexani.

Ishte rrjeta numër 9 në 15 ndeshje në kampionat, si dhe një nga golat që zbritën në kategorinë e dytë, Vaducin, ekipin që Sadiku luajti vjet. Davide Mariani shënoi golin e dytë për vendasit, ndërsa Aksel Borgman nuk e shpëtoi dot skuadrën e tij nga humbja. Lugano ka 50 pikë, ndërsa rivalët Sion e Lucernë nuk janë larg.

Një tjetër gol shqiptar, tepër i bukur, u shënua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autori ishte Jahmir Hyka, edhe ai lojtar i përfaqësueses. Shtatshkurtri tiranas i dha fitoren San Hozesë 9 minuta para fundit të duelit ndaj Dallasit. Vetëm një veprim klasi si ai i Hykës mund të zgjidhte këtë ndeshje që po shkonte drejt barazimit.

Ky ishte goli i tretë sezonal i shqiptarit, që pati edhe një rrjetë të anuluar më parë. San Hoze, ndërkaq, është në vendin e 4-të mes 11 ekipeve të Konferencës Perëndimore, me 19 pikë, jo larg vendeve të para.

Sfidanti.al