Trajnerët italianë kërkojnë që Izraeli të pezullohet nga UEFA e FIFA

Shoqata e Trajnerëve të Futbollit në Itali, AIAC, ka kërkuar të mërkurën që Izraeli të pezullohet nga garat ndërkombëtare të futbollit, për shkak të luftës në Rripin e Gazës. Para ndeshjeve vendimtare të Italisë në kualifikimet për Kupën e Botës kundër Izraelit në dy muajt e ardhshëm, AIAC-i theksoi se “Izraeli duhet të ndalet. Edhe futbolli duhet të marrë masa”. AIAC ia ka dërguar një letër zyrtare Federatës së Futbollit të Italisë – e cila do t’u përcillet shtëpive të futbollit evropian dhe botëror, UEFA dhe FIFA – duke kërkuar pezullimin e Izraelit. “Bordi i Drejtorëve të AIAC beson njëzëri se, duke pasur parasysh masakrat e përditshme, të cilat kanë shkaktuar edhe qindra viktima mes drejtuesve, trajnerëve dhe sportistëve … është e ligjshme, e domosdoshme, madje detyrim, që të vihet në qendër të bisedimeve në federata, kërkesa që UEFA dhe FIFA ta përjashtojnë përkohësisht Izraelin nga garat sportive”, thuhet në letër. “Sepse, dhimbja e së kaluarës nuk mund ta errësojë ndërgjegjen e as njerëzinë e askujt”, thuhet tutje në letër.

Italia pritet të përballet me Izraelin në fushë neutrale në Debrecen të Hungarisë, më 8 shtator, para se ta presë atë ndeshjen e kthimit në Udine, më 14 tetor. “Ne mund të përqendroheshim vetëm në lojë, duke kthyer shikimin nga ana tjetër. Por, besojmë se kjo nuk është e drejtë”, tha nënkryetari i AIAC, Giancarlo Camolese. Itali gjithashtu luajti kundër Izraelit në Udine tetorin e kaluar në një ndeshje të Ligës së Kombeve, e cila u shoqërua me protesta para dhe gjatë lojës dhe masa të rrepta sigurie, përfshirë snajperë mbi çatinë e stadiumit. Që atëherë situata ka vazhduar të përkeqësohet në Gazë, dhe numri i palestinezë të vrarë nga lufta 22-mujore e ka kaluar shifrën prej 62.000 në fillim të këtij muaji. “Bota është në flakë. Shumë njerëz si palestinezët po vuajnë”, tha nënkryetari i AIAC, Francesco Perondi. “Shpërfillja e kësaj është e papranueshme”, përfundoi ai.

Sfidanti.al